
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu-Hyseni, ka komentuar deklaratat e ministrit Nenad Rashiq lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
E pyetur nga analisti politik Halil Matoshi në emisionin “Politiko”, Kryeziu-Hyseni tha se nëse Qeveria aktuale do të kishte qenë e interesuar ta shtynte përpara çështjen e Asociacionit, tashmë do të diskutohej për pesë vjet të zbatimit të tij.
Ajo theksoi se qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje për këtë çështje është i njohur dhe se deklaratat që bien ndesh me këtë qëndrim nuk përfaqësojnë qëndrimin e Republikës së Kosovës.
“Zoti Matoshi, nëse Qeveria aktuale, e cila ka udhëhequr me vendin gjatë pesë vjetëve të fundit, do të kishte qenë e interesuar ta shtynte përpara çështjen e Asociacionit, besoni që tashmë do të kishim folur për raportin e pesë vjetëve të implementimit të Asociacionit dhe nuk do të kishim qenë në situatën se a është apo nuk është.
E dini mjaft mirë cili është qëndrimi i VV-së për këtë çështje dhe çfarëdo lloj deklarate tjetër që bie në kundërshtim me të, nuk e përfaqëson qëndrimin e Republikës së Kosovës”, deklaroi Kryeziu-Hyseni.