
Pas disa ligjëratave për zhvillim ekonomik e për atë se si duhet të qeveriset shteti në kuadër të disa organizimeve në Forumin e Paqes në Paris, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Paris e ka takuar edhe profesorin francez, nobelistin e vitit 2025 për ekonomi, Philippe Aghion.
Kurti ka shkruar se profesori francez njihet për qasjen e tij që ndërthur mbështetjen e inovacionit si nxitës të zhvillimit ekonomik me promovimin e politikave sociale që sigurojnë gjithëpërfshirjen dhe mbrojtjen sociale.
Në postimin e tij Kurti ka treguar se nobelistit francez i ka folur edhe për rritjen ekonomike, GDP-në dhe potencialin e Kosovës për zhvillim, ndërkohë që inflacioni në vend ka kaluar mbi 7 %.
“Ndër tema të tjera, gjatë takimit, diskutuam për rritjen ekonomike në Kosovë dhe sektorët me potencialin më të madh për zhvillim, veçanërisht sektorin e teknologjisë, i cili përbën 6% të Bruto Produktit Vendor dhe vazhdon të shënojë rritje. Po ashtu, folëm për inovacionin në Evropë, mundësitë dhe sfidat që sjell zhvillimi i inteligjencës artificiale, rolin e qeverive në mbrojtjen e punëtorëve dhe zhvillimin e aftësive profesionale, si dhe për tranzicionin energjetik.Një temë e veçantë e diskutimit ishte edhe sistemi i arsimit dual në Kosovë, i frymëzuar nga modelet e Gjermanisë dhe Zvicrës. Profesori Aghion vlerësoi pozitivisht politikën e Qeverisë sonë për zhvillimin dhe zbatimin e këtij sistemi, i cili ndërlidh arsimin profesional me përvojën praktike në vendin e punës”, ka shkruar Kurti.