
Alice Huang, një biznesmene kineze e përfshirë në sektorin e inteligjencës artificiale dhe qendrave të të dhënave, është në qendër të një polemike pas raportimeve për një lidhje me drejtorin ekzekutiv të Nvidia-s, Jensen Huang, dhe dyshimeve se ajo ka punuar si spiune për Pekinin.
Sipas New York Times, inteligjenca amerikane dyshon se Alice Huang, e njohur edhe si Huang Le, është rekrutuar nga Ministria e Sigurisë Shtetërore e Kinës për të ndikuar që Nvidia të ofrojë çipat e saj më të avancuar në tregun kinez.
Ajo kishte punuar më parë në sektorin financiar në Kinë, ndërsa në vitin 2023 u bë aksionare kryesore dhe drejtoreshë e kompanisë Megaspeed në Singapor, partnere e Nvidia-s në shërbimet cloud. Kompania është përballur me akuza për anashkalim të kufizimeve amerikane të eksportit dhe dërgim të çipave të avancuar në Kinë.
Megjithëse dokumentet zyrtare tregojnë se Huang u largua nga pozita e drejtoreshës në nëntor 2023, një raport i Culper Research pretendon se ajo vazhdoi të ishte e përfshirë në operacionet e përditshme të kompanisë.
Qeveria e Singaporit ka konfirmuar se po heton Megaspeed-in për dyshimet lidhur me shkeljen e kontrolleve të eksportit, por ka theksuar se nuk ka hetim ndaj Alice Huang.
Ndërkaq, Kina ka mohuar pretendimet se ajo ishte spiune, duke i cilësuar akuzat si të pabazuara dhe përpjekje për të njollosur vendin, shkruan Associated Press.