
Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe qeverisjen e Albin Kurtit, duke thënë se në vend që të reflektojnë për stagnimet dhe dështimet, po mundohen t’i arsyetojnë ato.
Gjatë një debati në Kuvend, Osmani rikujtoi se edhe vetë e kishte kritikuar mënyrën se si ishin ndarë fondet për bizneset në atë kohë.
Ajo akuzoi LVV-në se gjatë viteve në pushtet ka ndryshuar, siç u shpreh, bosët e krimit, oligarkët dhe bosët e biznesit, por jo mënyrën e kontrollit mbi politikën.
“Ju veç i keni ndërru bosat e krimit, i keni ndërru oligarkët, bosat e biznesit. Oligarkët i kanë kontrollu ata përpara, oligarkët po ju kontrollojnë edhe juve”, deklaroi Osmani.
Ajo gjithashtu kritikoi qasjen e pushtetit ndaj kritikave, duke thënë se LVV-ja po përdor standarde të dyfishta dhe nuk po tregon gatishmëri për të reflektuar mbi punën e saj në qeverisje.