Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Mjekët e rinj protestojnë për punësim, paralajmërojnë vazhdimin e protestes

Gazeta10
21 November 2026 - 12:11

Me kërkesë për kushte më të mira dhe mundësi të barabarta punësimi, mjekë të diplomuar të papunë, profesionistë shëndetësorë dhe studentë të mjekësisë protestuan para Ministrisë së Shëndetësisë.

Protestuesit shprehën pakënaqësinë për mungesën e perspektivës profesionale, pritjet e gjata për punësim dhe mungesën e komunikimit me institucionet përgjegjëse.

Sipas përfaqësuesit të protestuesve, Besfort Racaj, nga viti 2021 deri në vitin 2026, Kosovën e kanë lëshuar 650 mjekë, ndërsa aktualisht 534 doktorë dhe qindra stomatologë e infermierë janë pa punë.

Ata kërkuan organizimin e konkurseve të rregullta dhe transparente për punësim dhe specializime, rishikimin e kritereve të vlerësimit, si dhe kompensimin financiar për stazhin gjashtëmujor.

Protestës iu bashkua edhe deputetja dhe profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë, Albena Reshitaj, e cila bëri thirrje për dialog institucional dhe ndërmarrjen e hapave konkretë për zgjidhjen e problemeve të mjekëve të rinj.

Ajo theksoi se kërkesat e tyre nuk kanë të bëjnë me privilegje, por me mundësi të barabarta për punësim dhe avancim profesional, duke paralajmëruar se mungesa e perspektivës po i shtyn të rinjtë drejt emigrimit.

Ndërkohë, organizatorët kanë paralajmëruar se protesta do të vazhdojë edhe nesër, nga ora 10:00, në sheshin “Skënderbeu”. Me këtë rast, mjekët e diplomuar të papunë do të ofrojnë shërbime mjekësore falas për qytetarë

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.