Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Shqipëria 114 vjet shtet, Begaj: Pavarësia, përgjegjësi që duhet mbrojtur çdo ditë

Gazeta10
28 November 2026 - 20:37

Presidenti Bajram Begaj, gjatë ceremonisë me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ka folur mbi rëndësinë historike të 28 Nëntorit 1912, duke thënë se shpallja e Pavarësisë nuk ishte thjesht një moment historik, por një amanet dhe përgjegjësi për brezat që do të ndërtonin shtetin shqiptar.

Në pritjen e kreut të shtetit sonte në Tiranë morën pjesë drejtues të institucioneve shtetërore, përfaqësues të politikës, diplomatë, si dhe personalitete të jetës publike. Po ashtu, e pranishme ishte edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës Albulena Haxhiu, raporton KosovaPress.

“Në Vlorën e vitit 1912, kur dukej se historia po vendoste për vendet e vogla, një grup burrash shpallën Shqipërinë shtet të pavarur. Ata nuk na lanë një Shqipëri të përfunduar, por një Shqipëri për t’u ndërtuar. Na lanë përgjegjësinë për të ndërtuar një shtet, për ta forcuar dhe për ta çuar përpara”, tha presidenti Begaj.
Duke përkujtuar sakrificat që shqiptarët kanë bërë ndër vite për ta fituar lirinë, presidenti Begaj tha se pavarësia është një përgjegjësi që duhet mbrojtur çdo ditë teksa përmendi edhe transformimin që ka përjetuar Shqipëria pas rënies së komunizmit.

“Për gati gjysmëshekulli shqiptarëve iu mohua liria. Liria e vërtetë për të zgjedhur, për të menduar dhe për të vepruar, sot është mes nesh dhe duhet ta mbrojmë çdo ditë. Vendi që dikur ishte më i izoluari në Evropë, sot është anëtar i NATO-s dhe ndodhet në rrugën e integrimit në BE. Shqipëria e sotme është e transformuar, me një ekonomi më të zhvilluar, me institucione më të forta dhe me një rol gjithnjë e më të vlerësuar në arenën ndërkombëtare”, tha Begaj.
Presidenti komentoi edhe protestën e sotme në Tiranë, duke theksuar se e drejta për të protestuar është pjesë e demokracisë, por duke dënuar aktet e dhunës. Ai bëri thirrje për dialog dhe mirëkuptim politik, duke nënvizuar se demokracia ndërtohet mbi respektin për mendimin ndryshe.

“Kemi parë të rinj dhe qytetarë që protestojnë edhe sot, në ditën e shenjtë të flamurit dhe të bashkimit. Protesta është një e drejtë kushtetuese, por dhuna, shkatërrimi dhe imponimi nuk janë zgjidhja dhe as alternativa. Dialogu është zgjidhja. Demokracia nuk kërkon të mendojmë të gjithë njësoj. Ajo kërkon që, edhe kur mendojmë ndryshe, të ndihemi nën të njëjtën çati. Ajo që na bashkon është shumë më e madhe se ajo që na ndan”, u shpreh presidenti Begaj.
Në përfundim të fjalës së tij, presidenti Begaj porositi shqiptarët të qëndrojnë të bashkuar rreth vlerave të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe orientimit euroatlantik, e cila është rruga që garanton të ardhmen e Shqipërisë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.