
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka përsëritur qëndrimin e kësaj partie për
nevojën e koordinimit të ngushtë me SHBA-të, si domosdoshmëri e mosrënies në
kurthin e forcave destabilizuese të Serbisë.
Këto deklarata ai i bëri gjatë një tubimi me Degën e dytë të kësaj partie në
Prishtinë, shkruan Gazeta10.
“Sonte, ripërsëritëm nevojën për koordinim të ngushtë me ShBA-të; si domosdoshmëri e mosrënies në kurthin e forcave destabilizuese me adresë në Serbi. Provokimet dhe tendencat destabilizuese të Serbisë nuk janë të reja. Ato synim kanë rrënimin e shtyllave kryesore të Republikës sonë – sovranitetin në veri me fokus të veçantë. Përballë provokimeve të tilla, Kosova duhet të tregojë maturi, angazhim për ligjshmëri, unitet të brendshëm politik e koordinim me aleatë. Kështu, si në çdo moment të vështirë, do t’ia dalim përballë secilës sfidë. Çdo ecje ndryshe, do të ketë pasoja të rënda për vendin”, ka shkruar Abdixhiku. /Gazeta10