
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, sot priti në takim Emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, dhe të Dërguarin e Posaçëm të Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anzhej Frangesh.
Në këtë takim, u diskuta mbi zhvillimet e fundit në vend dhe hapat e ardhshëm në kuadër të procesit të dialogut me Serbinë, transmeton Gazeta10.
Në njoftimin për medie, bëhet e ditur se Bislimi theksoi se është koha për të diskutuar rreth marrëveshjes kornizë, që çon drejt normalizimit të plotë të raporteve dhe marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
“Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj ligjshmërisë dhe kushtetuetshmërisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe pakicave, barazisë, shërbimit ndaj qytetarëve, paqes dhe sigurisë.
Bashkëpunimi, koordinimi dhe thellimi i marrëdhënieve me shtetet e Gjermanisë dhe të Sllovenisë, janë tejet të rëndësishme për Kosovën, si partner dhe aleat të fuqishëm të vendit tonë” thuhet në njoftim./Gazeta10