
Dosja voluminoze paraprake e Hashim Thaçit, e prezantuar nga ekipi mbrojtës i tij, pos përpjekjes për të rrëzuar pretendimet e Prokurorisë për gjoja krime, sjellë edhe një pasqyrë tjetër interesante të aktivitetit të Thaçit gjatë dhe menjëherë pas përfundimit të luftës.
Veçmas, në dosje citohen një sërë personalitetesh ndërkombëtare e vendore për rolin dhe aktivitetin e Thaçit në atë periudhë kohore.
E kur përmendet Konferenca e Rambujesë, avokati i Thaçit ka folur edhe për qëndrimin që e ka pasur Adem Demaçi. Ajo çka bie në sy është se këtu, Keohe e ka cituar edhe librin e Shkëlzen Gashi me titull “Kosova, Lufta dhe Paqja”, në kontekstin e deklaratave të Adem Demaçit.
“Kur Grupi i Kontaktit thirri palët në Rambuje në janar 1999, Përfaqësues i Përgjithshëm Politik i UÇK-së ishte Adem Demaçi. Që nga gushti i vitit 1998, Demaçi kishte funksionuar nga një zyrë e caktuar në Prishtinë, me 12 këshilltarë dhe mbante konferenca javore për shtyp për të prezantuar qëndrimet politike të UÇK-së. Ai u takua rregullisht me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare duke lëshuar leje për diplomatët dhe gazetarët ndërkombëtarë për të shkuar në zonat e kontrolluara nga UÇK-ja dhe ndërmjetësoi lirimin e të burgosurve të UÇK-së. Ai ishte gjithashtu i vendosur kundër pranisë dhe pjesëmarrjes së UÇK-së në Rambuje”, thuhet më tutje në dosjen e avokatit të ish-presidentit të Kosovës.
Gashi, i cili njihet për deklaratat e forta të tij ndaj Thaçit, por edhe për UÇK-në në kohën sa ishte këshilltar i kryeministrit Kurti, ishte detyruar të jap dorëheqje për shkak të kritikave të mëdha të publikut ndaj qëndrimeve të tij./Gazeta10