Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar Kosovës për aplikimin e saj të bërë sot për anëtarësim në Bashkimin Europian, raporton Gazeta10.
Begaj ka thënë se ky është një akt i rëndësishëm historik që i hap rrugë aspiratave të Kosovës.
Më tej, ai ka përgëzuar autoritetet e Kosovës për punën e bërë në përmbushjen e detyrimeve.
Tutje, Begaj u ka bërë thirrje të gjitha vendeve që ta mbështesin aplikimin e Kosovës.
Këtu keni postimin e plotë:
“Dorëzimi i aplikimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian është një akt i rëndësishëm historik që i hap rrugë realizimit të aspiratës europiane të saj.
Përgëzime autoriteteve të Kosovës dhe shumë suksese në përmbushjen e detyrimeve të procesit!
U bëj thirrje të gjitha vendeve anëtare që ta mbështesin aplikimin e Kosovës, pasi kjo do të ishte jo vetëm në interesin më të mirë gjeopolitik të Bashkimit Evropian, por dhe një kontribut më shumë në mbështetje të një vendi e një populli me vokacion të qartë evropian dhe euro-atlantik.
Urime Kosovë e shumë suksese! ”, ka shkruar Begaj në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10