
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka raportuar para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, pas situatës së krijuar në veri të Kosovës, raporton Gazeta10..
Mehaj ka thënë se rritja e buxhetit për FSK-në ka ndikuar për rritje të kapaciteteve brenda Ushtrisë së Kosovës duke theksuar se gjatë vitit 2022 në total janë rekrutuar 1,230 ushtarë që është dyfishi i vitit 2020 dhe 2019.
“Sa i përket ngritjes së kapaciteteve profesionale ushtarët ndjekin studime në akademitë më prestigjioze në botë si në SHBA, Gjermani, Kroaci, Mbretëri të Bashkuar, Turqi dhe më gjerë. Gjatë këtij viti janë trajnuar rreth 2,047 ushtarakë jashtë vendit. Krahas kësaj është investuar edhe ngritjen e kapaciteteve operacionale me blerjen e pajisjeve ushtarake. Gjatë vitit 2022 buxheti i investuar në këtë vit tejkalon vitin 2021 me 84%, vitin 2020 me 99% dhe vitin 2019 më 98%.Blerjet janë realizuar përmes marrëveshjeve shtet me shtet”, ka thënë Mehaj.
Ministri i Mbrojtjes theksoi se synimi është anëtarësimi në NATO dhe se janë duke punuar në këtë drejtim.
“Synimi jonë është anëtarësimi në NATO. Ushtarët tanë po marrin pjesë në ushtrime ndërkombëtare krah ushtrive të ndryshme ndërkombëtare. Jemi në përgatitje të “Defender 23”, si nikoqir për herë të dytë ku Ushtria e Kosovës do të marrë pjesë më 1,350 ushtarë”, tha Mehaj.
Veriu ndodhet në gjendje të tensionuar për shkak të barrikadave.
Barrikadat janë ngritur më 10 dhjetor si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Pantiq dyshohet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më herët gjatë muajit dhjetor.
Qeveria e Kosovës dhe faktori ndërkombëtar vazhdimisht ka bërë thirrje për heqjen e barrikadave./Gazeta10