
Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, ka thënë se KFOR-i është duke e monitoruar situatën në veri dhe se liria e lëvizjes duhet të mundësohet, raporton Gazeta10.
Ai ka thënë se KFOR-i ka kapacitete të plota për ta mundësuar lirinë e lëvizjes të të gjitha komuniteteve në të gjithë territorin e Kosovës.
“KFOR-i është duke monitoruar nga afër situatën në veri të Kosovës. KFOR-i ka kapacitet të plotë, duke përfshirë personelin, për të ofruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet, në të gjithë territorin e Kosovës, sipas mandatit të tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga viti 1999”, ka thënë Angelo Michele Ristuccia në një deklarim për N1.
Ai ka thënë se fton të gjitha palët që të angzhohen në mënyrë konstruktive për ta mundësuar lirinë e lëvizjes dhe se kjo arrihet përmes dialogut.
“Ne presim që të gjithë aktorët të bashkëpunojnë ngushtë me KFOR-in dhe të përmbahen nga shprehjet provokuese të forcës, për të mundësuar lirinë e lëvizjes në Kosovë. KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Ftojmë të gjitha palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive për të mundësuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë. Zgjidhja duhet kërkuar përmes dialogut”, ka thënë komandanti i KFOR-it, Ristuccia. / Gazeta10