
Qeveria e Kosovës ka treguar të arriturat në Trashëgimin kulturore, kulturë dhe sport në vitin 2022, raporton Gazeta10.
Në njoftim bëhen të ditura të gjitha iniciativat e qeverisë për mbështetjen dhënë kulturës dhe sportit.
Përmenden tetë objekte të reja të insfrastrukturës për sport, kulturë dhe rini.
Më tej, është theksuar edhe ndihma financiare në këtë sektor si dhe suksese e institucioneve të ndryshme kulturore.
Këtu keni njoftimin e plotë:
“2022: Qeveria për Trashëgimi kulturore, kulturë dhe sport
Viti që shkoi ishte vit i mbrotjes së trashëgimisë kulturore, promovimit të artit dhe integritetit të sportit sepse:
Dyfishuam mbështetjen për skemën e granteve për komunitetin e artit dhe trashëgimisë kulturore;
Ngritëm në 65 numrin e monumenteve të shpëtuara falë ndërhyrjeve emergjente dhe restaurimeve;
Përmes akteve nënligjore të trashëgimisë kulturore vendosëm standarde të licencimit të operatorëve, përcaktimit të perimetrit të aseteve, gërmimeve arkeologjike, projekteve të konservimit;
Nisëm procesin e licencimit të federarave të sportit – dhjetë federata u licencuan deri në fund të vitit 2022;
Mbështetëm organizimin e disa ngjarjeve ndërkombëtare sportive në vendin tonë;
Ndamë bursa studimi për profile deficitare në art, sport dhe trashëgimi kulturore;
Bashkorganizuam me sukses Bienalen nomade “Manifesta 14”, gjatë 100 ditëve të së cilës u regjistruan 800 mijë vizita në 25 lokacione ku u ekspozuan vepra artistike të 103 artistëve nga 30 shtete;
Themeluam institucionin e Operës së Kosovës, duke përmbushur një premtim progamor dhe një kërkesë shumëvjeçare të komunitetit artistik;
Opera e Kosovës vuri në skenë “La Traviata” të Verdit, shfaqja më e madhe operistike e luajtur ndonjëherë në Kosovë;
Pasuruam koleksionin shtetëror të artit duke blerë mbi 100 vepra të artit nga artistët vendorë;
Lansuam programin 5-vjeçar me vlerë 12 milionë euro “Kosova Shtet i Xhudos” me synim të promovimit dhe shtrirjes së sportit të xhudos në gjithë vendin;
Miratuam Projektligjet për Kinematografinë, të Drejtat e Autorit, Anti-Dopingun, si dhe koncept dokumentet për kulturën, rininë dhe për sportin;
Dyfishuam buxhetin e Qendrës Kinematografike të Kosovës për vitin 2022;
Nënshkruam marrëveshje të bashkëpunimit bilateral me Shqipërinë, Francën, Izraelin, Hungarinë, Turqinë, Bavarinë (Gjermani);
Fuqizuam bashkëpunimin kulturor me Shqipërinë me fokus në produksione të përbashkëta artistike dhe projekte të trashëgimisë kulturore;
Ndamë afër 15 milionë euro përmes skemave të mbështetjes direkte në kulturë, rini dhe sport për 1492 përfitues;
Teatri Kombëtar i Kosovës u anëtarësua në Rrjetin Evropian të Teatrove;
Përfunduam 8 ndërtesa të infrastrukturës për sport, kulturë dhe rini, ndërkaq 17 tjera janë në ndërtim e sipër;
Komiteti Paralimpik i Kosovës u pranua në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës. / Gazeta10