Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Kurti: Ne nuk i amnistojmë kriminelët, kemi lëshuar fletëarrest për 18 serbë për masakrën e Reçakut

Gazeta10
15 January 2023 - 12:46

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e mbajtjes së 24-vjetorit të masakrës së Reçakut ka thënë se kjo masakër ka nxitur më së shumti ndryshime të qëndrimeve të shteteve të huaja për “atë që po bënte Serbia në Kosovë”.

Kurti tha se shteti ynë demokratik nuk i amniston kriminelët e luftës asnjëherë.

“Teksa kujtojmë dhe nderojmë të gjitha viktimat e të vdekurve dhe të gjallëve të asaj kohe të errët, me lejoni që para jush, nga pozita e kryeministrit, t’ju them që shteti ynë demokratik nuk i amniston kriminelët dhe nuk i harron krimet e luftës”, ka thënë ai.

Kryeministri tha se Prokuroria në Kosovë ka lëshuar fletëarreste ndërkombëtare për 18 persona që dyshohet se morën pjesë në këtë masakër, raporton Gazeta10.

“Duke u thirrur në dëshmitë e kohës, në deklaratat e 63 dëshmitarëve të intervistuar dhe në provat e Tribunalit të Hagës, Prokuroria e Kosovës ka lëshuar fletëarreste ndërkombëtare për 18 persona, serbë, që dyshohen për pjesëmarrje në kryerjen e Masakrës së Reçakut”, tha ai.

Tutje kryeministri e përmendi edhe mohimin e kësaj masakre nga shteti serb, duke thënë se kur e vërteta është kaq e fuqishme shfaqen edhe narrative mohuese.

“Përgjithësisht kur e vërteta është kaq e fuqishme si Masakra e Reçakut, shfaqen edhe narrativa mohuese ndaj saj sikur që ka bërë Serbia që nga dita e parë e Masakres e deri më sot, duke i mohuar e duke u munduar ta falsifikojë këtë masakër. Më datë 5 dhjetor të vitit 2019, presidenti aktual i Serbisë Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se kjo masakër është fabrikim dhe falsifikim. Ndërkaq dy vjet më vonë ish-ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq e përsërit atë që e ka thënë presidenti i Serbisë, falsifikim dhe fabrikim”, tha Kurti. 

Meritat për ndryshim të qëndrimeve të shteteve më të fuqishme në bashkësinë ndërkombëtare në raport me atë se çfarë bënte Serbia në Kosovë, sipas Kurtit i ka ambasadori amerikan, William Walker.

“Ajo u shndërrua në një nga argumentet më të pakontestueshme dhe më të fuqishme për ndërhyrjen e NATO-s e cila do të vinte pas dy muajsh. Për këtë meritat më së shumti i takojnë ambasadorit amerikan që kryesonte misionin verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker. Ai pati kurajën ta përshkruante atë që pa me emër të vërtetë – që ajo ishte masakër dhe krim kundër njerëzimit. Sot 24-vjet më pas ai po e shkruan një libër për masakrën e Reçakut dhe besoj se ai do ta monumentalizojë në tekst përvojën e tij profesionale dhe personale në një deklaratë publike e thënë një ditë pas masakrës së Reçakut. I jemi gjithmonë mirënjohës ambasadorit Ëalker që në një kohë kur kishte pak zëra që flisnin qartë dhe fuqishëm për Kosovën në diskursin ndërkombëtar, ai e tha të vërtetën për krimet e luftës që Serbia po i shkaktonte në Kosovë duke folur jo thjeshtë me gjuhë diplomatike, por edhe me një gjë të kulluar”, ka thënë më tej Kurti.

I pranishëm në këtë ceremoni ka qenë edhe ish-ambasadori amerikan, William Walker, i cili gjatë vitit 1999 ka shërbyer si shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë dhe ka dokumentuar krimet e kryera në këtë fshat.

Ngjarja e Reçakut është pasuar nga bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë dhe Serbi.

“Duke e cilësuar masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit, dhe duke kërkuar drejtësi për viktimat, ambasadori Ëalker u shndërrua në zërin e viktimave dhe në zërin e gjithë Kosovës në kohët më të rënda në historinë tonë”, ka thënë Osmani, teksa ka vlerësuar rolin e Ëalkerit në raportimin për masakrën.

Vetë Walker ka thënë në ceremoni se në Reçak është kthyer edhe në rreth 15 përvjetorë tjerë për të parë sërish banorët e fshatit.

“Më pëlqen kur shoh fëmijë, shumë, shumë fëmijë. Këtë vit, kur kemi ecur afër varrezave, nuk kam mundur të dalloj se kush janë familjarët e viktimave dhe kush kanë qenë njerëzit që kanë dashur të vijnë për nderim. Kjo, sepse çdo vit shtohet numri i njerëzve që duan të tregojnë respekt për atë që përfaqëson Reçaku”.

Në paraditen e së dielës, krerë shtetërorë dhe qindra qytetarë kanë kryer homazhe te memoriali që nderon viktimat e kësaj masakre në Reçak./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.