
Sot janë bërë pesë vjet nga vrasja e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.
Në këtë përvjetor, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se vendi që ai drejton nuk do të heqë dorë nga kërkesa që dorasit e këtij akti të dalin para drejtësisë.
“Prej pesë vitesh nuk ka pasur as të vërtetë dhe as drejtësi në rastin e këtij akti të urryer dhe çnjerëzor. Serbia nuk ka harruar dhe nuk do të heqë dorë nga kërkesa që kriminelët e vërtetë të dalin para drejtësisë. U prefsh ne paqe”, ka shkruar presidenti Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.
Edhe pas pesë vjetëve të vrasjes së Ivanoviqit, ende askush nuk është dënuar për këtë rast.
Tre dëshmitarë tashmë janë tërhequr nga dhënia e dëshmisë për këtë rast.
Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, më 19 tetor ka arrestuar M.M. nga komuniteti serb nën dyshimin se ai ishte anëtar i një “grupi të organizuar kriminal” të lidhur me vrasjen e politikanit të opozitës serbe, Oliver Ivanoviq.
Deri më tani, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur tri aktakuza për vrasjen, në të cilat nuk ka pasur ndryshime të mëdha thelbësore.
Aktakuza janë ngritur kundër Nedelko Spasojeviqit (ish-oficer policie), Marko Roshiqit (qytetar i Mitrovicës së Veriut), Silvana Arsoviqit (sekretare e të ndjerit Oliver Ivanoviq), Dragisha Markoviqit (ish-oficer policie), Zharko Jovanoviqit (ish-oficer policie) dhe Rade Basaras (ish-oficer policie).
Me vrasjen po ashtu janë të lidhur edhe Zhelko Bojiq (ish-shef i operacioneve në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut), Millan Radoiçiq (nënkryetar i Listës Serbe) dhe Zvonko Vesellinoviq (biznesmen).
Ndaj këtyre të fundit nuk është ngritur aktakuzë pasi ata kanë qenë në arrati kur Prokuroria Speciale e Kosovës e ka ngritur aktakuzën e parë.
Në aktakuzë përmenden Radoiçiq dhe Vesellinoviq si “udhëheqës të një grupi kriminal” që ka planifikuar vrasjen e politikanit, Oliver Ivanoviq.
Më 2019, Kosova ka lëshuar një urdhërarrest për Radoiçiqin nën dyshimin se ka pasur lidhje me vrasjen e Ivanoviqit.
Mirëpo, ky fletarrest për Radoiçiqin është tërhequr në mars të vitit 2021 pa ndonjë shpjegim, dhe që nga ajo kohë ai është parë disa herë në veri të Kosovës.
Të gjithë të akuzuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.