Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Abdixhiku: Kurti kur nuk ka argumente prodhon material për Tik-tok

Gazeta10
13 February 2023 - 16:13

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës janë përplasur në debat me kryeministrin e vendit, Albin Kurti. Shefin e ekzekutivit e kanë kritikuar për përfaqësim të dobët të Kosovës, mos informim të deputetëve si dhe deklarata kontradiktore.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se Kurti është në transformim të pozicioneve të tij.

“Kryeministri kur humb argumentet fillon të prodhojë material për ‘tik-tok’, kështu bëri edhe sot, tha nga Nenad Gjuriqi kaluam tek Nenad Rakiqi, po ashtu ka kaluar nga Pantiqi e Ivanoviqi, të parin nuk ke mundur dy javë ditë ta sjellësh në Prishtinë e të dytin e ke glorifikuar si njëri i heroizmit të multietnicitetit në veri. Mos u harro këto dyja kur i përmend. Unë besoj që kryeministri ka probleme thelbësore kontradiktore sepse është në transformim të pozicioneve të tij, prandaj po humb edhe qetësinë edhe argumentet. Që disa prej kontradiktave, thotë që është marrëveshje kontraktuale por nuk është marrëveshje ligjërisht e obligueshme, sepse aty në pjesë të marrëveshjes po ta ndaje tani do të tregojë se a parashihet që ky proces dialogues të zgjatë për disa vite për të arritur të një marrëveshje ligjërisht e obligueshme”, ka thënë ai.

Abdixhiku shtoi se Kurti është kontradiktor edhe kur flet për rend dhe ligj në veri të vendit.

“Kontradikta e dytë është ‘merre ose leje’ por është bazë e mirë, ja është bazë e mirë, ja është përfundimtare ‘merre ose leje’. Kontradikta e tretë është se do të ketë implementim të marrëveshjeve paraprake por nuk do të ketë Zajednicë, a po kuptoni sa kontradiktore është kjo në vete, tjetra është ju lutem kërkoni reciprocitet për Luginë por kërkoje ti, pse e ke pranuar në parim një marrëveshje që nuk e ka reciprocitetin”, ka shtuar ai.

Kurtit i ka replikuar edhe shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi.

“Ajo çka e tronditi kryeministrin dhe e humbi kontrollin ke veç një fjalë, ‘dobët’ kryeministër pra po ta them edhe publikisht atë që ta thash, dhe u zbehem, u sarrakuqe, u çorientove, u çrregullove, e humbe kohën vetëm me një fjalë, dobët kryeministër. Por po harron kryeministër se prej asaj karriges ku jam ulur ti ke qenë prapa ke gjuajt me ve, këtu afër ke gjuajt paraardhësin tënd me sprej në sy, gaz lotsjellës, ke sulmuar fizikisht, me ke gjuajt mua me gaz lotsjellës dhe nuk ka a bërë askush ndonjë tragjedi kaq të madhe, e me u tronditë kaq shumë sa ti prej një fjale të dobët”, tha Gashi.

Sipas tij, Kurti është treguar i dobët në përfaqësim përballë Serbisë si dhe ndërrim të qëndrimeve.

“Dobët në përfaqësimin tënd përballë Serbisë, dobët për mënyrën sesi ti zotëri qysh i ndërron qëndrimet tua, dobët zotëri për mënyrën si komunikon, dobët zotëri pse nuk vjen të raportosh në Kuvend, dobët zotëri sepse ti nuk po e përfaqëson dinjitetshëm vendin tënd, dobët zotëri sepse ti e ke kallë këtë kuvend, dobët zotëri sepse ti i ke çuar njerëzit drejt vdekjes, dobët zotëri, shumë dobët”, ka thënë Gashi.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.