
Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne për nderë të 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Nga aty, liderët shtetëror e ata të partive opozitare theksuan se bërja e shtetit erdhi nga gjaku i dëshmorëve. E, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, tha se kjo ditë kujton forcën e qëndresës së popullit shqiptar.
Liderë shtetërore e partiak, kanë vlerësuar lartë rolin e gjithsecilit deri në pavarësinë e Kosovës.
Nga Kuvendi i Kosovës, në seancën solemne, presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se këto 15 vjet, Kosova është zhvilluar e forcuar si shtet i ri
Në ditën e shënimit të përvjetorit të pavarësisë, Osmani, shtoi se sot kujtojnë sakrificën e qëndresës së brezave shqiptar.
Për festën e pavarësisë, në Kosovë ka qëndruar edhe presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj.
Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, Begaj tha se Pavarësia e Kosovës ishte drejtësia shekullore që komuniteti ndërkombëtar i detyrohej shqiptarëve.
Në këtë 15 vjetor të pavarësisë së Kosovës, Begaj tha se kjo ditë kujton forcën e qëndresës së popullit shqiptar.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se në 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës përkulen para dëshmorëve që nuk kursyen jetën e tyre për liri.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shpallja e Pavarësisë së Kosovës është rezultat i përpjekjeve dhe sakrificave të popullit shqiptar.
Fjalë rasti në këtë ditë feste kanë mbajtur edhe liderët opozitarë. Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, në 15 vjetorin e pavarësisë ka kujtuar ata që në vitin 2008 shpallën Kosovën shtet të pavarur.
Në këtë seancë morën pjesë edhe shumë diplomatë e përkrahës të Kosovës për liri dhe pavarësi.