
Dritan Tali – ish këshilltar i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas deklaratës së Kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, se po pengon institucioneve malazeze që është shqiptar.
Tali nëpërmjet një postimi në Facebook, ka shkruar se më shumë u pengon shqiptarëve fakti që është shqiptarë sesa malazezëve, raporton Gazeta10.
“Më shumë neve shqiptarëve po na pengon fakti që ti je shqiptar sesa që po ju pengon malazezëve, beso a! Mistrec!!!”, ka shkruar ai.
Kryeministri Abazoviq, sot para deputetëve të Malit të Zi tha se po duan ta rrëzojnë pasi u pengon që është nga komuniteti pakicë.
“Që në ditën e parë u ka shqetësuar fakti që jam pjesëtar i një kombi pakicë [shqiptar]. Unë jam kryeministër që merr vendime të vështira, që mbrojti interesat kombëtare edhe pas 30 gushtit 2020, që ruajti kursin e politikës së jashtme”, ka deklaruar Abazoviq.
Partia e Presidentit malazez, Milo Gjukanoviqit, kishte paralajmëruar se do të niste mocion mosbesimi ndaj Abazoviqit, pasi ai e nënshkroi Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe, duke përmbyllur një konflikt të gjatë në Malin e Zi. Sipas tyre, Abazoviq kishte kryer tradhti ndaj vendit./Gazeta10