Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Pajtimi në Bruksel ndanë opozitën në Prishtinë

Gazeta10
28 February 2023 - 19:35

Raporti: Egzona Shala/Kanal10

Partitë opozitare nuk janë të njëzëri për temat e diskutuara të hënën në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. PDK-ja e LDK-ja e kanë kundërshtuar përmbajtjen e propozimit evropian, me ç’rast disa nene i kanë vlerësuar si shumë të dëmshme për Kosovën. Derisa, pajtimin e palëve për këtë dokument, AAK-ja e ka konsideruar si një arritje të madhe.

Për pajtimin e Kosovës dhe Serbisë lidhur me propozimin evropian, partitë opozitare kanë dhënë vlerësime të ndryshme.

Derisa, PDK-ja e LDK-ja e kanë kundërshtuar përmbajtjen e këtij plani, vlerësime pozitive i ka dhënë AAK-ja.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se njohja e ndërjsellë nuk është në qendër të kësaj marrëveshjeje, derisa sipas saj, Kosova ka pranuar themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Gjithashtu, sipas saj, është hapur pakoja e Ahtisaarit përmes zotimit të krijimit të një statusi për Kishën Ortodokse Serbe.

Kurse, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili ka thënë se kjo marrëveshje është vetëm në interes të Serbisë dhe përmes saj, Kosova jep më shumë gjëra sesa Asociacioni.

Për dallim nga dy partitë e tjera opozitare, pajtimin e palëve për propozimin evropian, AAK-ja e ka vlerësuar si arritje për Kosovën.

Deputetja e këtij subjekti politik, Time Kadrijaj ka thënë se kjo marrëveshje dërgon drejt njohjes së Kosovës nga Serbia.

Të hënën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar për propozimin evropian, megjithëse për pikat e zbatimit të tij, do të vazhdojnë bisedimet.

Ky plan ka 11 nene dhe përmbajtja e disa prej tyre kanë nxitur reagime të shumta në vend.  

Pas takimit në Bruksel, kryeministri Kurti ka deklaruar se ishte i gatshëm ta nënshkruante këtë dokument, por që sipas tij, një gjë të tillë nuk ka pranuar ta bëjë presidenti Vuçiq. 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.