
Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10
Franca i është bashkuar SHBA-së në kritikat ndaj partive opozitare që e kanë kundërshtuar propozimin evropian. Ambasadori francez në Prishtinë ka kërkuar nga opozita që ta shohin me një perspektivë tjetër marrëveshjen e Brukselit. Ndërkaq, nga PDK-ja kanë thënë se nuk ka ftohje raportesh, derisa ish-deputet të LDK-së, kritikojnë udhëheqjen e kësaj partitë për qasjen në dialog.
Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Franca ka kritikuar partitë opozitare që nuk e kanë përkrahur propozimin evropian, për të cilin janë dakorduar liderët e Kosovës dhe Serbisë, më 27 shkurt në Bruksel.
Për kritikat që PDK-ja dhe LDK-ja ia kishte bërë neneve të këtij plani, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, një ditë më parë ishte shprehur e pakënaqur për qasjen e tyre ndaj marrëveshjes evropiane.
Kurse, ambasadori i Francës në Kosovës, Olivier Guerot, ka thënë se presin nga opozita kosovare që çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ta shohin me një perspektivë më të gjerë.
Ai ka thënë se propozimi evropian ofron shumë aspekte pozitive për të dy palët.
“Kosova është një vend demokratik dhe është normale që pozita dhe opozita të jenë në kundërshtim për çështje të ndryshme. Ne siç kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës, kërkojmë njëjtë edhe nga opozita që ta shohin çështjen e Asociacionit me një sy ndryshe, ta shohin ‘the big picture’ dhe t’i vlerësojnë përpjekjet që komuniteti internacional po bën për Kosovën dhe Serbinë”, u shpreh Olivier Guerot – Ambasador i Francës në Kosovë.
Por, këtyre kritikave të ndërkombëtarëve u janë përgjigjur nga PDK-ja.
Deputeti i këtij subjekti politik, Hisen Berisha, i ka quajtur të pavërteta këto deklarata, duke theksuar se nuk ka pasur dhe nuk do të ketë ftohje me ShBA-në.
Megjithatë, sipas tij, qëndrimet e opozitës nuk çojnë peshë ngase është Qeveria e Kosovës ajo që në fund i merr vendimet.
Për këto qëndrime të ndërkombëtarëve, nuk kanë pranuar të deklarohen nga LDK-ja, me gjithë insistimet e televizionit.
Ndërkaq, ish-deputeti dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Naser Rugova ka kritikuar udhëheqjen e partisë për qasjen karshi procesit të dialogut.
Të enjten e kaluar, deputetët e partive opozitare kanë hedhur kritika të shumta ndaj kryeministrit të vendit, Albin Kurti, për disa prej pikave që përmban propozimi evropian.
Në seancën e mbajtur deri në orët e mëngjesit, deputetët e LDK-së dhe PDK-së e kanë akuzuar Kurtin se ka pranuar disa nene të kësaj marrëveshje, që sipas tyre, janë të dëmshme për Kosovën, përfshirë pikën për Asociacionin, si dhe atë për rregullimin e statusit juridik të Kishave Ortodokse Serbe. /Gazeta10