Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Kosova, vetëm një hap larg liberalizimit të vizave

Gazeta10
09 March 2023 - 19:02

Raporti: Saranda Aliu/Kanal10


Ministrat e Brendshëm të 27 vendeve të Bashkimit Evropian e kanë miratuar vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën në takimin e së enjtes në Bruksel. Këtij lajmi i janë gëzuar partitë parlamentare. Nga partia në pushtet kanë thënë se pas shumë vendime të qeverisë aktuale kanë bërë që të aprovohet kjo kërkesë. Por, kështu nuk thonë nga opozita. Sipas tyre, ky proces nuk është meritë e kësaj qeverie.

Qytetarët e Kosovës janë afruar edhe më shumë realizimit të pritjes shumëvjeçare për lëvizjen pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.

Një hap i tillë është bërë të enjten, pasi që Këshilli i Punëve të Brendshme të 27 vendeve të BE-së, ka rënë dakord për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën.

Pa diskutime e për pak sekonda, ata e kanë aprovuar në lexim të parë një kërkesë të tillë.

Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl ka mirëpritur këtë vendim, duke e quajtur atë si të vonuar.

“Kemi arsye për të qenë të lumtur. Por ne duhet të pyesim vetën pse disa vendime që e bëjnë jetën më të mirë për shumë njerëz, dhe nuk do të dëmtonin askënd, ndonjëherë zgjasin kaq shumë në BE. Duhet të kapërcejmë qasje të tilla ideologjike. Le t’i shërbejmë Evropës dhe evropianëve.- Lukas Mandl – Eurodeputet

Edhe ministrja për Migrim e Suedisë, Maria Malmer Stenergard ka thënë se Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar sigurinë dhe menaxhimin me migrimin dhe të bashkërendojë politikën e vizave me atë të BE-së.

Këtij lajmi i janë gëzuar edhe nga partia në pushtet, duke thënë se tani i ka mbetur Parlamentit Evropian që t’i jap fund sagës 10-vjeçare.

Vendimin e fundit për liberalizimin e vizave, nga opozita e kanë quajtur lajm të mirë, por të vonuar, duke thënë se meritat për këtë nuk i takojnë qeverisë aktuale, por atyre paraprake.

Më 30 nëntor, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së ishin pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit të BE-së që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.

Sipas këtij vendimi, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë tërësisht funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve, i njohur si ETIAS, por jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.