
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka folur për prioritetet e kësaj partie në sektorin e sigurisë, duke theksuar se programi i tyre mbështetet në tri shtylla kryesore.
Në Politiko, Isufi tha se një nga elementet kryesore ku kanë punuar është rishikimi i strategjisë së sektorit të sigurisë, proces për të cilin, sipas tij, kanë bashkëpunuar drejtpërdrejt me partnerët amerikanë.
“Plani i AAK-së për siguri është i bazuar në tri shtylla. Rishikimi i strategjisë së sektorit të sigurisë ka qenë një prej elementeve të cilat kemi punuar drejtpërdrejt me miqtë amerikanë”, deklaroi Isufi.
Ai tha se gjatë së kaluarës ka qenë pjesë e disa prej proceseve dhe momenteve kyçe në fushën e sigurisë përmes komisioneve kuvendare, duke shtuar se orientimi i tyre ka qenë gjithmonë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
“Mënyra e angazhimit tonë ka shkuar absolutisht në partneritet me NATO-n, të prirë nga SHBA-ja”, u shpreh kandidati i AAK-së.