
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës po kandidon për t’u rizgjedhur në krye të partisë.
Në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së, Abdixhiku foli për punën e tij prej dy vjet e gjysmë si kryetar. 333 delegatëve iu tha se ata kanë marrë “detyrën e delegimit të kësaj përgjegjësie drejt organeve të reja të partisë, për t’i dhënë prirje e orientim jo vetëm Lidhjes Demokratike të Kosovës, por edhe gjithë Republikës së Kosovës”.
“Kjo peshë është bukur e rëndë”, tha Abdixhiku.
Ai tha se me të në krye, LDK ka arritur ta bëjë “rrugën e ringritjes së madhe”.
“Së bashku kemi arritur ta bëjmë rrugën e ringritjes sonë të madhe, atë që e kërkonim të gjithë, atë që besonim se do ta gjenim të gjithë. E gjetëm sepse kemi ecur drejt, na gjeti sepse kemi ecur mbarë”, tha Abdixhiku.
“Dy vite e gjysmë më parë, ne u gjendëm para një sfide të pazakontë për ne”, tha ai, duke përmendur rezultatin më të dobët historik që LDK e mori në zgjedhjet e vitit 2021.
Ndërsa, Faton Bislimi nuk arriti t’i futet garës për të rivalizuar Lumir Abdixhikun, pasi i njëjti nuk ishte as delegat në Kuvendin e 10-të të LDK-së dhe sipas statutit të LDK-së, Bislimit nuk i lejohet kandidimi për kryetar.
Kandidimi duhet të bëhet vetëm gjatë punimeve në Kuvend dhe pastaj Kuvendi zgjedh komisionin kandidues.
Statuti e saktëson se delegatët e kanë autoritetin për kandidaturat.
Në Kuvendin e përbërë nga 333 delegatë sa ishin të pranishëm në sallë, 331 votuan kundër tij.
Pos anëtarëve të LDK-së aty morën pjesë persona të ambasadave amerikane, britaneze, suedeze, franceze, OSBE, BE-së, familjarët e veprimtarëve të LDK-së.
Pas këtij Kuvendi zgjedhor, nga ora 17:00 do të mbahet Konventa Programore ‘Rruga e Re’, në të cilën do të shpalosen pikë për pikë planet konkrete e zhvillimore.