Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pasi forcat serbe kanë rrëmbyer sot tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Lideri i kësaj partie, Lumir Abdixhiku ka shkruar se lirimi i këtyre tre policëve është domosdoshmëri dhe për këtë sipas tij, bashkërëndimi dhe përafrimit me aleatët është pa-alternativë.
Abdixhiku përmes një reagimi në Facebook është shprehur se Kosova nuk e meriton një ditë të tillë.
Ai ka kërkuar përgjegjësi politike institucionale nga kryemnistri Kurti dhe vartësi i tij, teksa ka shtuar se ushtrimi i sovranitetit të vërtetë kërkon mençuri.
“Të tre policët e rrëmbyer i presim në shtëpi. Ky është borxhi ynë si Republikë përballë agresionit luftënxitës të Serbisë. Lirimi i tyre i menjëhershëm është domosdoshmëri. Për këtë lirim, bashkërendimi e përafrimi me aleatë është i paalternativë. Prandaj, sot, bie dhe perdja e naiviteti popullist që këtë bashkërendim e shihte si dobësi. Dobësi e vetme është thirrja e vonuar për ndihmë, pasi je poshtëruar. Kosova nuk e meriton një ditë të tillë. Sot, kërkojmë përgjegjësi politike institucionale nga kryemnistri dhe vartësi i tij. Ushtrimi i sovranitetit të vërtetë kërkon mençuri”, ka shkruar Abdixhiku.
Policia e Kosovës ka deklaruar se tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës.
Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë duke patrulluar thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.