
Biçikleta e disa çanta për rreth janë gjithçka që iu deshën këtij të riu gjerman për të marrë rrugë drejt botës.
Pothuajse 2 mijë kilometra është rruga që përshkoi Melvin Griese nga Gjermania për në Kosovë.
E tërë këtë rrugëtim 19 vjeçari e bëri me biçikletën e tij.
“Kjo ide lindi kur unë përfundova shkollën, desha ta shihja botën përmes syve të mi, të udhëtoja nëpër botë ishte shumë e shtrenjtë, e një formë më pak e kushtueshme ishte nëse këtë do ta bëja përmes biçikletës” – u shpreh ai.
Rruga drejt Kosovës nuk ishte aspak e lehtë por Melvin thotë se mikpritja dhe akomodimi nga kosovarët i la mbresa e një gjë të tillë as nuk e kishte menduar t’i ndodhte.
E, strehimi në një familje kosovare ishte jashtë pritshmërive të tij.
“Udhëtova nga Gjermania në Republikën Çeke, më pas në Austri, Itali, Slloveni e kështu me radhë deri në Kosovë. Kur erdha këtu njerëzit ishin shumë të afërt, thjesht nuk e kuptoja tërë këtë afërsi. Në Gjermani nuk është kështu. Më pas takova edhe familjen Muqaj e cila më strehoi për dy ditë. Kjo është fantastike” – tha Melvin.
I riu nga Gjermania gjatë qëndrimit të tij dy ditor në Kosovë, pati mundësi të vizitonte disa vende. Nga tërë ky rrugëtim përshtypje i la se sa shumë njerëzit flisnin gjermanisht.
Ai thotë se misionin e tij për të udhëtuar rreth e rreth botës në fillim nuk e mirëpritën prindërit e tij derisa tani ata janë shumë krenarë për të.
“Gjëja e parë që më thanë prindërit kur morën vesh për rrugëtimin ishte ti je i çmendur. Në fillim ata nuk e kuptuan se unë nuk po bëja shaka. Më pas më thanë që të paktën të udhëtoja vetëm nëpër Evropë dhe jo më larg, më pas e panë se unë dua të udhëtoj nëpër botë dhe nuk mund të më ndalonin”. – shprehet 19 vjeçi.
Melvini duket se ishte përgatitur deri në detaje për këtë udhëtim të cilin e konsideron njërën prej arritjeve më të mëdha deri më sot.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Melvinit ia hapën dyert e shtëpisë një familje nga Suhareka.
19 vjeçari nga Gjermania destinacion do të ketë edhe vende të tjera të botës të cilat synon t’i vizitoj gjatë një viti me të vetmin mjet transporti, biçikletën./Blend Aliu/Gazeta10