Kontaktoni

info@gazeta10.com

Politiko

Ahmet Isufi: Krijimi i xhandarmërisë nuk bëhet me deklarata fushate, duhet nismë ligjore dhe koordinim me NATO-n

Gazeta10
21 May 2026 - 21:34

Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi në Politiko kritikoi deklaratat politike për krijimin e një xhandarmërie në Kosovë, duke thënë se një proces i tillë nuk mund të realizohet përmes deklaratave elektorale, por vetëm përmes procedurave ligjore dhe koordinimit institucional.

Sipas Isufit, krijimi i një strukture të re të sigurisë kërkon nismë konkrete ligjore dhe përfshirje të institucioneve përkatëse të sigurisë, e jo vetëm deklarime gjatë fushatës zgjedhore.

“E para që është obligim, duhet të ketë nismë ligjore për të ndodhur një gjë e tillë dhe jo deklarata për fushatë zgjedhore. Ne më shumë e marrim si interesim kur jemi në fillim të një fushate zgjedhore dhe kjo mënyrë e sjelljes konsideroj se nuk është shumë serioze”, tha Isufi në Politiko.

Isufi ka theksuar se deri më tani nuk ka pasur interesim institucional për këtë çështje dhe se çdo iniciativë për krijimin e xhandarmërisë duhet të trajtohet fillimisht brenda sektorit të sigurisë.

“Meqë kemi të bëjmë me krijimin e një strukture të re, kjo do të duhej të bëhej brenda segmentit të sigurisë, pastaj të dilte në publik si nismë ligjore dhe të procedohej në Parlamentin e Kosovës nga qeveria”, u shpreh ai.

Duke folur për raportet me NATO, Isufi tha se sipas deklarimeve të selisë së aleancës, nuk ekziston ndonjë iniciativë serioze nga institucionet e Kosovës për krijimin e xhandarmërisë në partneritet me NATO-n.

“E dëgjova deklaratën e selisë së NATO-s lidhur me xhandarmërinë dhe ata kanë thënë se vetëm po i përcjellin deklaratat e përfaqësuesve politikë të Kosovës, që do të thotë se nuk ka një iniciativë serioze të bërë në partneritet me NATO-n”, deklaroi Isufi.

Deklarata e plotë: https://youtu.be/YJzF_faVg-k

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.