
Gazetari dhe moderatori Arben Ahmeti ka njoftuar se të premten emisioni “Adresa” do të vijë me një edicion special, kushtuar rrëfimeve të grave dhe vajzave që përjetuan dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Ahmeti ka bërë të ditur se në këtë edicion do të prezantohen rrëfime autentike, me qëllim të rikthimit të kujtesës për një prej krimeve më monstruoze të kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Ajo që mund ta paralajmëroj është se të premten do të kemi një edicion special të ‘Adresës’, me rrëfime të nënave e motrave të cilat pësuan dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë. Janë rrëfime autentike, të cilat janë shenjë për ta rikthyer memorien për një prej krimeve më monstruoze gjatë ditëve kur nuk dihej nëse do të mbijetonin apo jo”, ka deklaruar Ahmeti.
Ai ka theksuar se përmes këtyre rrëfimeve synohet të përcillet edhe mesazhi për viktimat e vërteta të luftës, në një kohë kur më 16 shtator është marrë një vendim i ri lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.