
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka njoftuar se qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në Zonën Schengen nga 1 janari, 2024.
Mirëpo hyrja në shtetet anëtare të zonës mund të refuzohet nëse nuk plotësohen disa kushte.
Poseduesit e pasaportave të Kosovës duke filluar nga 1 janari 2024 do të mund të udhëtojnë drejt Zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtër.
Lajmi është kumtuar nga Ambasada gjermane në Prishtinë të hënën.
Megjithatë, sipas Ambasadës gjermane, heqja e vizave nuk u jep të drejtë të pakushtëzuar kosovarëve për udhëtim jashtë vendit.
“Heqja e vizave nuk jep një të drejtë të pakushtëzuar hyrjeje dhe qëndrimi. Shtetet anëtare kanë të drejtë të refuzojnë hyrjen dhe qëndrimin në territoret e tyre, nëse nuk plotësohen një ose më shumë nga kushtet e hyrjes, si p.sh: Posedimi i një pasaporte biometrike të vlefshme (e vlefshme për të paktën tre muaj pas datës së synuar të nisjes nga zona Shengen), Arsyetimi i qëllimit dhe kushteve të qëndrimit të synuar, duke pasur mjete të mjaftueshme financiare, si për kohëzgjatjen e qëndrimit të synuar ashtu edhe për kthimin; Të mos jetë një person për të cilin është lëshuar një sinjalizim në Sistemin e Informacionit Shengen (SIS) për qëllime të refuzimit të hyrjes”, thuhet në njoftim.