Bartësi i listës së AAK-së për zgjedhjet e 7 qershorit, Ardian Gjini, u ka bërë thirrje që të gjithë kandidatët për kryeministër të dalin në debate publike dhe të përballen me njëri-tjetrin gjatë fushatës zgjedhore.
I ftuar në emisionin “Politiko” në Kanal10, Gjini tha se përballja në debate është praktikë demokratike që zbatohet edhe në vendet më të zhvilluara.
“Provoni me i marr krejt kandidatët për kryeministër në debat, kish me qenë fantastike. Po ju tregoj çka po mendoj për këtë punë: unë besoj që po ndërtohen njerëz, po glorifikohen për së tepërmi edhe po mendojnë se janë tepër të mëdhenj e të rëndësishëm”, deklaroi ai.
Ai shtoi se edhe liderët më të mëdhenj në botë dalin në debate dhe se kjo duhet të ndodhë edhe në Kosovë.
“Edhe për me dal në debat, liderët më të mëdhenj në botë dalin në debat, e këtu te na… duhet me dal e me u ‘blu’ mes veti në debate, me tregu çka besojmë. Jam i gatshëm me debatu me të gjithë, po i sfidoj edhe pak”, u shpreh Gjini.