Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

“Barrikadimi” i qeverisë ndaj mediave

Gazeta10
03 January 2023 - 18:34

Raporti: Saranda Aliu / Kanal10

Me muaj të tërë, shumë pyetje të gazetarëve mbesin në arkivat e pushtetarëve.

Ata, pothuajse çdo ditë ballafaqohen me mungesë të transparencës nga qeveria e Kosovës, por edhe nga dikasteret e saj.

Kështu ka ndodhur edhe me gazetën Insajderi, gazetarët e së cilës kishin kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dokumente, që lidheshin me shpenzimet e diplomatit Prindon Sadriu, për karburante.

Email-at në adresën e MPJ-së për këtë çështje ishin shpeshtuar, duke pritur me muaj për një përgjigje.

E për këtë, ky medium ka ngritur ankesë në adresë të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, institucion ky që mbikëqyrë zbatimin të legjislacionit për qasje në dokumente publike dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Pas shqyrtimeve, AIP-ja e ka dënuar me 13 mijë euro gjobë MPJ-në, por pavarësisht kësaj kjo ministri vazhdon të mos i bëjë publike shpenzimet e zotërisë së parë.

Ndërkaq, nga kjo Agjenci kanë bërë të ditur se si pasojë e mos transparencës së institucioneve publike, gjatë vitit 2022 shteti i ka humbur 22 mijë euro.

Sipas tyre, për këtë çështje janë shtuar edhe ankesat.

Shqetësuese mbetet fakti, që ministria për Komunitete dhe Kthim, nuk ka as faqe zyrtare, duke bërë që ekzistenca e këtij dikasteri të mbetet nën hije, ndërsa gjërat që ndodhin aty potencialisht të fshihen.

Sipas raporteve të Institutit të Kosovës për Drejtësi, gjatë vitit 2022 Zyra e Presidencës dhe Kuvendi , kanë qenë më të pa qasshmit, duke u pasuar nga ministria e Punëve të Brendshme, ajo e Punëve të Jashtme dhe ministria e Financave. 

Sipas gjetjeve të këtij instituti, shumë vendime merren e të njëjtit nuk bëhen publike.

Për të marrë një qëndrim, gazetarët shpesh enden në korridoret e institucioneve të Kosovës, por shpesh kthehen pa përgjigje.

Për shkak të kësaj, qindra ankesa shkojnë në adresë të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, se institucionet nuk po kthejnë përgjigje në pyetjet e tyre e as në kërkesat për intervistim.

Sipas Pranvera Behlulit nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje kishte ardhur në pushtet me premtimet që do të “qeverisë me duar të pastra” dhe që do të jetë qeveria më transparente, por sipas saj pas dy vitesh në pushtet, ajo është hendekepuar.

E këtë e ka quajtur shqetësuese.

Përveç jo transparencës, edhe sjellja arrogante e pushtetarëve karshi gazetarëve është bërë pothuajse e zakonshme.

Një rast i tillë, i ka ndodhur edhe Besarta Hotit nga “Periskopi”, derisa gjatë një konference për medie i ka drejtuar pyetje ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Dhe ky nuk është rasti i vetëm. Të shpeshta janë rastet kur ndaj gazetarëve përdoret gjuhë denigruese e linçuese, madje të njëjtit janë etiketuar edhe si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

Nga ana tjetër, lidhur me temën në fjalë, televizioni ka provuar të marr një qëndrim nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, por që kanë qenë të pa qasshëm./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.