
Profesori i shkencave politike, Basri Muja në Politiko komentoi zhvillimet e fundit politike lidhur me ofertat për kompromis ndërmjet partive, duke theksuar se rezultati prej 51% nuk nënkupton domosdoshmërisht ofertën më të sinqertë.
Sipas Mujës, Lëvizja Vetëvendosje ka pasur një ofertë që dallonte nga partitë e tjera, duke u shfaqur – të paktën në ditët e fundit – e gatshme për kompromis dhe konsensus, edhe pse kjo, siç tha ai, ka qenë më shumë në nivel deklarativ.
“51% nuk do të thotë se LVV e ka pas ofertën më të sinqertë, por e ka pas një ofertë që nuk e kanë pas partitë tjera. Ka qenë e gatshme për kompromis dhe për konsensus, së paku deklarativisht në tri ditët e fundit,” u shpreh Muja.
Megjithatë, ai kritikoi kohën e vonuar të kësaj qasjeje, duke theksuar se iniciativa për kompromis është dashur të vijë shumë më herët. Ai shtoi se përzgjedhja e kandidatëve nuk ka qenë e duhura që në fillim.
“Nuk ka qenë koha më e mirë. Është dashur të ndodhë më herët. Nuk është dashur të vinte fare me Glauk Konjufcën apo Fatmire Kollçakun, por që në fillim të zgjidhej kandidatura e Feride Rushitit,” deklaroi ai.
Në fund, Muja tha se procesi i arritjes së marrëveshjeve politike kërkon angazhim të ndërsjellë nga të gjitha palët.
“Konsensusi dhe kompromisi janë rrugë me dy kahje, jo njëkahëshe. Palët duhet të takohen diku në mes,” përfundoi ai.
Deklarata e plotë: https://youtu.be/ZhIG_mohEOE