
Basri Muja, komentator politik, në emisionin Politiko, ka komentuar zhvillimet e fundit në skenën politike dhe mënyrën se si partitë po e zhvillojnë fushatën zgjedhore.
Muja tha se skena politike vazhdon të mbetet e polarizuar mes dy blloqeve kryesore, ndërsa opozita sipas tij vazhdon të jetë e fragmentuar dhe më shumë në garë mes vete.
Ai vlerësoi se Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të qëndrojë më mirë për shkak të pozitës që ka pasur nga zgjedhjet e kaluara dhe ushtrimit të pushtetit.
Sipas Mujës, partitë opozitare kanë humbur rehatinë që kishin më herët, ndërsa një ndikim në këtë, sipas tij, e ka pasur Partia Socialdemokrate.
“Partitë opozitare janë më shumë duke bërë garë mes vete. Rehatinë ua ka prishur PSD, e cila është shumë ofensive, aktive dhe kreative me postimet e saj”, deklaroi Muja.
Ai shtoi se PSD ka sjellë një frymë më dinamike në fushatë përmes videove të shkurtra dhe krahasimeve të vazhdueshme të subjekteve politike opozitare.
“PSD i ka freskuar dhe dinamizuar këto zgjedhje deri më tani. Kanë mbushur fushatën me përmbajtje”, tha ai.