
Kohëve të fundit kanë ndodhur disa shpërthime në veri të Kosovës. Për këto shpërthime ka mbretëruar një ‘heshtje’ nga faktori ndërkombëtarë në Kosovë.
Megjithatë një përgjigje rreth këtyre zhvillimeve të fundit në veri Kanal10 ka arritur të marrë nga Zyra e BE-së në Kosovë.
“Zyra e BE-së në Kosovë po monitoron nga afër të gjitha zhvillimet e lidhura me sigurinë në mbarë Kosovën, veçanërisht në veri”, kështu bëri të ditur për emisionin “Raport” të Kanal 10, Ioanna Lachana – Përgjegjëse e Zyrës për Komunikim të BE-së, raporton gazeta10.
Tutje, ajo deklaroi se Zyra e BE-së dënon të gjitha incidentet e fundit në Veriun e vendit që mund të ndikojnë në situatën e sigurisë dhe përhapjen e frikës tek qytetarët.
“Ne i dënojmë fuqishëm të gjitha incidentet e fundit pasi ato mund të përhapin frikë te qytetarët dhe të ndikojnë në situatën tashmë të brishtë të sigurisë atje. Presim që institucionet e Kosovës t’i hetojnë rastet tërësisht dhe t’i nxjerrin autorët para drejtësisë”, thuhet në reagim.
Gjatë javëve të fundit në Mitrovicën Veriore pati një mori rastesh, shpërthimi në Liqenin e Ujamanit e ëmbëltorja “Shar” ishin dy prej tyre. /Gazeta10/