
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, ka thënë se përpjekjet e Serbisë për ta rishkruar historinë janë të papranueshme, raporton Gazeta10.
Pisonero ka thënë se qëndrimi i BE-së është i qartë sa i takon mohimit dhe realtivizimit të gjenocidit dhe madhërimit të kriminelëve të luftës, ky qëndrim është kundërshtues.
“Qëndrimi i BE-së është i qartë. Nuk ka vend në Evropë për mohimin e gjenocidit, revizionizëm dhe madhërim të kriminelëve të luftës – gjëra që janë në kundërshtim me vlerat themelore evropiane”, ka thënë Pisonero.
Tutje, diplomatja ka thënë se krerët fetarë mbajnë përgjegjësi po ashtu për këto tema.
“Prijësit fetarë dhe bashkësitë fetare kanë, po ashtu, përgjegjësi që të dëshmojnë lidership në përpjekjet për tejkalimin e trashëgimisë së vështirë nga e kaluara, si dhe të ndërtojnë në mënyrë konstruktive mirëbesim të ndërsjellë, tolerancë dhe dialog”, tha Pisonero.
Pisonero këto komente i ka bërë pasi Kisha Ortodokse Serbe dekoroi Vojisllav Sheshelin – i dënuar nga Tribunali i Hagës për krime të luftës në ish-Jugosllavi. / Gazeta10.