
Bashkimi Europian ka bërë thirrje që marrëveshjet e kaluara mes Kosovës dhe Serbisë të zbatohen dhe të respektohen plotësisht, raporton Gazeta10.
BE ka thënë që të gjitha temat e hapura mes dy shteteve duhet të zgjidhen pëmes dialogut që ndërmjetësohet nga Brukseli.
“Të gjitha çështjet e hapura do të adresohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. BE pret që të dy liderët të diskutojnë për këto tema sfiduese në takimin e ardhshëm mes Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që do të mbahet më 18 gusht në Bruksel”, bëhet e ditur në komunikatë.
Përmes një komunikate nga BE është thënë që arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë kërkon një klimë që i ndihmon besimit, pajtimit e marrëdhënieve të mira.
“Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në kontekstin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja kërkon një klimë që kontribuon në rivendosjen e besimit, pajtimit dhe marrëdhënieve të mira, ku marrëveshjet e kaluara respektohen dhe zbatohen plotësisht”, thuhet më tej në njoftimin e BE-së. / Gazeta10