Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Bislimi për planin franko-gjerman: Propozimet tona janë dërguar tek Scholz dhe Macron

Gazeta10
01 November 2022 - 18:39

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se propozimet dhe vlerësimet e një grupi që e kanë parë propozimin franko-gjerman janë shkruar dhe dërguar tek Scholz dhe Macron.

Bislimi në një intervistë për REL-in, ka thënë se në këtë plan përfshihet që raportet Kosovë – Serbi të zgjidhen në dy faza, transmeton Gazeta10.

Sipas tij, një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël do të liheshin për një periudhë të mëvonshme.

Radio Evropa e Lirë: Të flasim pak për dialogun Kosovë-Serbi. Në javët e fundit është përmendur ai që po quhet plani franko-gjerman. Çfarë është ky plan? Çfarë thotë ky plan?

Besnik Bislimi: Ata që janë inkuadruar në debatin për planin franko-gjerman apo gjermano -francez, elementi i parë që e dinë është që ka pasur një dakordim që për elementet e planit të mos flitet publikisht, në mënyrë që palët të mund të kontribuojnë tutje në avancimin e kësaj ideje.

Ditën e enjte, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të jetë në Berlin, ku do të nënshkruhen tri marrëveshje të rëndësishme në Procesin e Berlinit. Mendoj që aty do ta ketë mundësinë që pastaj në detaje ta informojë kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, i cili pritet të jetë në Berlin, për atë se cili është qëndrimi i palës kosovare për këtë propozim.

Radio Evropa e Lirë: Nëse nuk mund të na jepni detaje se çfarë është (propozimi franko-gjerman), a mund të na tregoni a ekziston një dokument, a ka pasur dakordime verbale, a është diskutuar për kornizat e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë?

Besnik Bislimi: Është një propozim që mendoj, pak a shumë, si pikënisje ka një brengë ndoshta te vendet mike si Gjermania dhe Franca, që procesi i Brukselit nuk po ec me ritmin e duhur, që situata gjeopolitike në Ballkan nuk është edhe aq e mirë. Andaj, edhe propozimi që del nga aty, është në kontekst të këtyre zhvillimeve. Është një ide që raportet Kosovë-Serbi të zgjidhen në dy faza, ku një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël që ata thonë është 1 për qind, por ne besojmë që është më shumë, do të liheshin për një periudhë të mëvonshme.

Radio Evropa e Lirë: Tani për tani, a është diskutuar brenda palës kosovare, cilat janë rezervat karshi këtij plani? A ka më shumë rezerva te pala kosovare apo tek ajo serbe?

Besnik Bislimi: Ne nuk i dimë rezervat e palës serbe për arsye se dokumenti deri më tani nuk është bërë publik dhe rrjedhimisht nuk mund të diskutohet në forume më të mëdha.

Radio Evropa e Lirë: Por (dokumenti) është parë nga ju?

Besnik Bislimi: Natyrisht që është parë. Është parë nga një grup shumë i vogël i njerëzve. Në këtë fazë, unë nuk mund të flas për përshtypjet, vlerësimet tona apo propozimet tona, por mund të them që propozimet i kemi të shkruara dhe të dërguara te Scholz dhe Macron.

Radio Evropa e Lirë: A pritet që të jenë publike pas takimit që do të ketë kryeministri Kurti në Berlin?

Besnik Bislimi: U takon krerëve të shtetit të vendosin, por edhe atyre që kanë propozuar se kur është momenti që përmbajtja e idesë (propozimit franko-gjerman) të bëhet publike.

/Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.