Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Çitaku thotë se emërimi i Ardita Sinanit si këshilltare për Luginën e Preshevës është i gabuar

Gazeta10
20 September 2022 - 10:06

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se emërimi i Ardita Sinanit si këshilltare për Luginën e Preshevës është hap i gabuar, raporton Gazeta10.

Çitaku ka thënë se ky emërim shpreh edhe një josinqeritet të qëllimit të kryeministrit të Kosovës, Albini Kurtit.

Tutje, ish-ambasadorja e Kosovës në OKB ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk duhet t’i ndaj shqiptarët në atë pjesë por duhet t’i bashkojë.

Çitaku ka thënë se kjo lëvizje ka qenë gabim meqë ajo është kryetare e një subjekti politik atje.

Këtu keni statusin e plotë:

“Asgjë personale me zonjën Ardita Sinani ( e kam mbështetur edhe publikisht pasi u shkarkua nga detyra muaj më parë) mirëpo emërimi i saj si këshilltare për Preshevë, Medvegje dhe Bujanoc pranë zyres së Kryeministrit të Kosovës është jo vetëm hap i gabuar, por edhe i dëmshëm.

Sikur Kryeministri të ishte i sinqertë në qëllimin e tij për të ndihmuar shqiptarët e luginës nuk do të emëronte znj Sinani, për shkak se Ardita është kryetare e një subjekti politik në Preshevë. Sikur Kurti të ishte i sinqertë në qëllimin do të emëronte dikë a partiak. Së paku formalisht, zonja Sinani, para se ta publikonte vendimin për emërim si këshilltare politike në Qeverinë Kurti, do të duhej ta kishte publikuar dorëheqjen si Kryetare e PVD-së në Preshevë.

Qeveria e Republikës së Kosovës nuk duhet të përçajë shqiptarët në Luginë, por duhet të synojë t’i bashkojë ata. Fatkeqesisht, qasje të njejtë destruktive e tendenca përçarëse Kryeministri Kurti ka shfaqur edhe me përpjekjet e tij për të ndërhyrë ne skenën politike në Shqipëri, Maqedoni, etj.

Më vije keq që zonja Sinani ka pranuar të bëhet pjesë e një projekti të tillë”, ka shkruar  Çitaku në llogarinë e saj në Facebook. / Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.