
Çlirim Haziri, njëri nga organizatorët e protestave “Jo në emrin tim” në Prishtinë, ka reaguar pas kthimit të ligjit në Kuvend, duke sqaruar qëndrimin e protestuesve dhe duke theksuar se kërkesa e tyre mbetet e njëjtë.
Haziri ka rikujtuar se për 21 ditë e 21 net protestuesit qëndruan në shesh me kërkesën që institucionet e Kosovës të marrin përgjegjësi për mbrojtjen e të drejtave të ish-udhëheqësve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Ai ka theksuar se qëllimi i protestave nuk ka qenë miratimi i një ligji vetëm për formalitet, por hartimi i një ligji që qëndron juridikisht dhe që mund të ketë efekt real.
“Për ne nuk ka rëndësi kush e propozon apo kush e voton. Ka rëndësi çfarë përmban ligji dhe çfarë mund të bëjë ai”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka bërë të ditur se organizatorët do ta përcjellin me kujdes çdo hap të mëtejmë, deri në përmirësimin dhe votimin e ligjit, si dhe do të monitorojnë zbatimin e secilit nen të tij.
Haziri ka paralajmëruar se do të kundërshtojnë çdo përpjekje që, sipas tij, mund të cenojë kauzën për të cilën janë organizuar protestat.
“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Kërkesa jonë nuk ka ndryshuar. Kauza jonë nuk ka ndryshuar”, ka theksuar ai.
Në fund të reagimit, Haziri ka ritheksuar se protestuesit do të vazhdojnë të qëndrojnë të bashkuar në mbështetje të UÇK-së dhe të kërkesës së tyre për mbrojtjen e të drejtave të ish-udhëheqësve të saj në Hagë.