
Ish-deputeti i Shqipërisë dhe tashmë i angazhuar politikisht në Kosovë, Bekim Çollaku, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend.
I ftuar në studion e emisionit “Gazeta” në Kanal 10, Çollaku tha se zgjidhja e presidentes ka shmangur ciklin e rreziqeve dhe ka dhënë një mesazh pozitiv për stabilitetin institucional të Kosovës.
Sipas tij, kjo zgjidhje ka “relaksuar miqtë dhe demotivuar armiqtë e Kosovës”.
Duke folur për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe zhvillimet rreth kësaj çështjeje, Çollaku tha se për partinë nuk bëhet fjalë vetëm për një mundësi të humbur, por për një dëm dhe goditje të drejtpërdrejtë.
“Besoj se ka një konsensus të madh në Kosovë se sa herë që Kosova gjendet e trazuar, LDK-ja ka gjetur boshtin e ekuilibrit dhe garancisë së qëndrueshmërisë”, tha Çollaku.
Ai e cilësoi si të pamerituar situatën që po i ndodh LDK-së, ndërsa për Bekim Sejdiun tha se bëhet fjalë për një figurë me kapacitet të lartë dhe me akses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.
“Çfarë humbi Kosova me një emër si Bekim Sejdiu është akt vetëvrasës i LDK-së, ose një sëmundje që herë pas here është shfaqur”, deklaroi Çollaku.