Kontaktoni

info@gazeta10.com

Kronika e Zeze

Dënohet me 2 vite burgim zyrtari korrektues në Dubravë për akuzën se përfitoi 1 mijë e 880 euro nga të burgosurit

Gazeta10
11 December 2024 - 21:13

Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar me dy vite burgim efektiv të akuzuarin Sh.G, për akuzën se në cilësinë e zyrtarit të Qendrës Korrektuese në Dubravë, keqpërdori detyrën duke përfituar 1 mijë e 880 euro nga të burgosurit dhe iu lejoi atyre përdorimin e telefonit në çdo kohë.

Shpalljen e aktgjykimit e bëri të mërkurën gjyqtari i rastit, Leon Përlaska, pas pranimit të fajësisë nga ana e të akuzuarit G, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj të akuzuarit G, krahas dënimit me 2 vite burgim, u shqiptua dënimi plotësues- ndalimin e ushtrimit të profesionit në administratë publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.

Fillimisht, në seancën e shqyrtimit fillestar pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ersan Qavolli, i akuzuari deklaroi se e pranon fajësinë në tërësi për veprën penale që i vihej barrë.

Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, u pajtua edhe prokurori Qavolli, pasi që ka mbështetje në provat e elaboruara në aktakuzë dhe i propozoi gjykatës që si të tillë ta aprovojë.

Gjithashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit G, avokati Gëzim Kollçaku, tha se pas konsultimit të mjaftueshëm me të mbrojturin e tij, konsideron se është pranim i vullnetshëm dhe kërkoi nga gjykata që ta aprovojë këtë pranim fajësie.

Gjyqtari Përlaska, më pas aprovoi pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit G.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 22 nëntor 2024, Sh.G akuzohej se nga muaji nëntor 2022, e në vazhdimësi të muajit janar 2023, në fshatin Dubravë, Komuna e Istogut, në cilësinë e personit zyrtar, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete dhe për personat e tjerë, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i tejkalon kompetencat e tij duke vepruar në kundërshtim me kontratën e punës dhe rregulloren e brendshme për tretmanet e të dënuarve të burgosur.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.