10 LIVE

Denoncime për keqpërdorime nga ish-strukturat komunale në Leposaviq

Gazeta10
18 Nëntor 2023 - 23:12

Ka disa ditë që zv/ministri për Kthim dhe Komunitete, Radoica Radomiroviq, në rrjetet sociale është duke i paraqitur disa dokumente përmes të cilave pretendon se qindra mijëra euro, para publike, janë abuzuar në Komunën e Leposaviqit, në kohën kur këtë komunë e qeveriste Lista serbe.

Në mesin e këtyre dokumenteve janë edhe planet për ndërtimin e sheshit dhe infrastrukturës në Leposaviq. Ai në një intervistë për RTK-në tha se faktet i ka gjetur në komunë e Leposaviqit në zyrën e Prokurimit.

“Unë me punëtorët e tjerë shkuam në zyrën e prokurimit të komunës, si dhe në zyrën e financave, dhe gjatë kontrollit të dokumentacionit, gjetëm keqpërdorime me shuma tejet të mëdha parash. Kjo normalisht që nuk është punë që ka mundur të bëhej brenda një dite. Si shembull mund ta përmendi rastin e sheshit, ku gjetëm marrëveshjen se ai shesh do të financohej nga Qeveria e Kosovës me 1 milion e 200 mijë euro, nëse nuk gaboj, por në të njëjtën kohë po i njëjti shesh do të financohet me paratë e Qeverisës e Serbisë me rreth 750 mijë euro. Por gjetëm edhe disa shkresa ku thuhej se një pjesë e madhe e atij sheshi veçse është ndërtuar, gjersa situata në terren ishte totalisht e kundërta. Gjithashtu gjetëm shkresa ku dëshmohej se ka keqpërdorime të mëdha edhe nëpër shkolla, ku gjithashtu kemi financim të dyfishte, nga të dyja qeveritë”’, tha për RTK Radoica Radomirovic, zv/ministër për Kthim dhe Komunitete.

Për më tepër, Radomiroviq thotë se edhe kompanitë që kanë qenë të kontraktuara për të kryer punët kanë qenë nën kontrollin ekskluziv të Radojçiqit.

“Nga niveli qendror në Prishtinë ka pasur kontrollime të punës se kësaj komune, por kjo ka ndodhur pas hyrjes në funksion të Qeverisë Kurti. Para kësaj qeverie, nuk ka pasur kurrë kontrollime të tilla. Kemi pasur thirrje edhe nga ana e banorëve të Zubin Potokut dhe Zveçanit që të merremi edhe me dokumentacionin e tyre, pasi sipas fjalëve të ish-punëtorëve të komunave të përmendura, ka keqpërdorime të tilla edhe atje, sidomos ne Zveçan. Kompanitë të cilat kanë qenë të angazhuara për pune të ndryshme, kanë qenë nën kontrollin ekskluziv të Radojçiqit.

Pretendimet për keqpërdorime, ditë më parë për RTK-në i ka ngritur edhe kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, me ç’rast tha se për këto krime janë njoftuar Policia e Prokuroria e shtetit.

“Po e kemi njoftu dhe kanë qenë një ditë këtu nga Krimet Ekonomike, në hetim janë disa projkete të mëdha”, tha Lulzim Hetemi, kryetar i Komunës së Leposaviqit

Policia e Kosovës ka konfirmuar për RTK-në se lidhur me këtë rast, Departamenti Hetimor i Krimeve Ekonomike të Kosovës, po merret me disa denoncime për keqpërdorime nga ish-strukturat komunale të pjesës veriore, ku në koordinim me Prokurorinë Kompetente po i vazhdon hetimet.

Ndërkohë zyrtarë të Listës Serbe kanë qenë të paqashëm për të komentuar këto publikime për dyshimet për keqpërdorim.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.