Lajme

Diversioni rus me Kosovën që kërkon të izolojë Ukrainën në Ballkan

Gazeta10
28 Shkurt 2024 - 22:22
Shkruan: Mero Baze

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, meriton sot një duartrokitje për mënyrën se si e tejkaloi diversionin rus që bëhet për të përdorur Kosovën kundër Ukrainës në Ballkan. Ky diversion ka gjithnjë të njëjtën pyetje gjoja “patriotike” që bëjnë shqiptarët apo pro serbë, sa herë Shqipëria apo Kosova mbështet Ukrainën.

Pyetja është pse e mbrojmë një vend që nuk e njeh Kosovën.

Vjosa Osmani u përgjigj me mençuri, duke thënë se njohja e Kosovës do të vijë bashkë me fitoren e Ukrainës. Dhe ky është thelbi i gjithë asaj që ndodh në Ukrainë, pasi problem i Ukrainës lindi si problem i një vendi që po shkonte drejt Perëndimit, duke u shkëputur nga influenca ruse.

Është e vërtetë se Ukraina pro ruse nuk e ka njohur Kosovën.

Madje ka qenë dhe më keq. Në mes të bombardimeve në prill të vitit 1999, presidenti i Ukrainës Leonid Kuchma ka qenë në atë kohë iniciator për një takim që të ndalte bombardimet. Dhe ishte logjike. Bëhet fjalë për Ukrainën pro ruse.

Ukraina pro perëndimore është në luftë me Rusinë, në një luftë të gjatë dy vjeçare, që nuk i dihet ende fundi.

Nëse Ukraina dhe Perëndimi e humbasin këtë luftë, do të humbasin shumë shanse për lirinë e popujve edhe në Evropë. Natyrisht do të humbasë dhe shansi që Ukraina të njohë Kosovën, se nuk do të jetë më.

Por kjo logjika “patriotike” që me aktet e Ukrainës pro ruse, duan të gjykojnë Ukrainën pro perëndimore, është propagandë e pastër pro ruse, përveç atyre që nuk kuptojnë çfarë thonë, por janë thjeshtë patriotë Facebooku.

D.m.th këta i kërkojnë llogari Ukrainës së Zelenskit që është në luftë me Rusinë, pse kur vendi i tij ishte pro rus nuk e ka njohur Kosovën dhe si dënim tani ai vend duhet lënë nën mëshirën e Rusisë.

Nuk ka gjë më pro ruse se kjo tezë. Natyrisht dhe më anti-Kosovë.

Kriza e Ukrainës e ka nxjerrë mbi ujë problemin e Kosovës dhe e ka kthyer në një shqetësim perëndimor pikërisht nga rreziku rus.

Samiti “Ukrainë – Europa Juglindore” i bashkëdrejtuar nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti Zelenski është një mundësi për t’i dhënë botës një fotografi të qartë të qëndrimeve të Evropës Juglindore në raport me konfliktin në Ukrainë, dhe problemeve që ndesh influence pro ruse në Ballkan.

Dy gjëra u bënë shumë të qarta lidhur me rrezikun rus në Ballkan.

E para, që Serbia nuk është një shtet i lirë që mund të marrë vendime që cenojnë Rusinë dhe influencën e saj në Ballkan, dhe nuk është e gatshme të shkëputet nga influenca ruse.

Pafuqia e Serbisë për t’u ndarë nga Rusia dhe hezitimi i saj edhe për t’u shprehur për sanksionet kundër Rusisë, tregojnë se ne kemi një problem rus në zemër të Ballkanit.

E dyta gjë që u bë e qartë, është se Kosova mund të përfitojë nga kriza e Ukrainës për të forcuar dhe më tej partneritetin me Perëndimin pasi mbetet vendi më i ekspozuar nga konflikti për shkak të klimës së luftës që po ndjell Rusia në Evropë.

Përpjekjet e Aleksandër Vuçiq për të përdorur precedentin e Kosovës si justifikim të agresionit rus në Ukrainë, në të vërtetë më shumë i bëjnë nder Kosovës dhe rrisin vëmendjen e Perëndimit ndaj saj, se sa e dëmtojnë atë.

Prandaj të gjithë ata që pyesin Shqipërinë pse e mbroni Ukrainën dhe të tjerë që bëjnë gjyq si patriotë, pse e mbështesim një vend që nuk njeh Kosovën, janë duke bërë të njëjtat pyetje që Putini bën kundër Perëndimit, kur thotë pse ju e çliruat Kosovën dhe unë nuk mund ta çliroj Krimen, dhe pse ju e njihni Kosovën dhe nuk ma njihni mua pushtimin e Krimesë.

Diferenca është se Perëndimi në rastin e Kosovës ka çliruar një vend të robëruar, kurse Putini në rastin e Ukrainës ka pushtuar një vend të lirë.

Ukraina e pushtuar nga Rusia nuk mund të braktiset në emër të asaj që ka bërë si një shtet pro rus dekada më parë. Ajo po ndëshkohet se po ikte nga tutela e Rusisë. Ndaj të gjithë ata që duan të frenojnë mbështetjen e Shqipërisë për të, apo dhe më keq, përdorimin e mos njohjes së Kosovës prej saj, thjesht po përsërisin ato që thotë Putini, duke tentuar të zgjerojnë mbështetjen për Rusinë në Ballkan.

Samiti i sotëm provoi se Shqipëria dhe Kosova, nuk ranë në këtë grackë dhe izoluan Serbinë si i vetmi vend pro rus në rajon. Dhe kjo është ajo që ndihmon për më shumë vëmendje ndaj Kosovës dhe respekt ndaj Shqipërisë në Perëndim./GazetaTema

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.