Talentet e vajzave shqiptare në shah po krenojnë Shqipërinë ndërkombëtarisht, Kleana Shuqja është një prej tyre.
Kleana di të luajë shah që prej moshës 4 vjeçare ku babai i saj ishte ai që e ndihmoj, e më pas qe 12 vite është stërvitur me profesorin Shkëlqim Çelës, shkruan Top Channel, transmeton Gazeta10.
Viti 2022 është më i suksesshëm për 16 vjeçaren me 3 fitore të njëpasnjëshme, duke bërë të mundur që emri i Shqipërisë të lartësohet në arenën ndërkombëtare.
“Në fillim shkoja se më dukej qejf, por pastaj u përkushtova se më pëlqenin rezultatet…mora çmimin e parë në qershor si kampione e femrave të Shqipërisë, më pas në korrik kampione e Europës në shahun e shpejtë në Greqi dhe së fundmi në olimpiadën botërore të shahut në INDI”, tha shahistja 16 vjeçare.
Profesori i Kleanës, Shkëlqim Çela, tha se fitorja e 16 vjeçares ka qenë e pritshme për shkak të talentit të saj.
“Kleana ka marr pjesë në 100 gara ndërkombëtare, 70% të tyre e ka mbuluar nga shpenzimet e familjes. Rezultatet ishin të pritshme sepse niveli i Kleanës ishte shumë i mirë.më ka bërë krenar”, tha Shkëlqim Çela, profesor shahu.
Shahistja shqiptare shtoi se ka ende shumë ëndërra e tituj për të arritur dhe ndonëse është me periudhë pushimesh, ajo i kushton çdo ditë 4-5 orë shahut.
“Mund të luajë 4-5 orë, nganjëherë edhe 6 orë lojë. Mund të ketë momente që nuk jep më të mirën, por nuk duhet ta ndalosh dhe ta humbësh besimin… Synimi im është të marr titullin mjeshtre e madhe në shah dhe të jem një personalitet në këtë fushë”, u shpreh Kleana Shuqja për Top Channel./Gazeta10.