
Edhe dy anije të tjera me drithër janë eksportuar nga Ukrainë, nisur nga porti Chornomorsk, ka njoftuar të shtunën Ministria e Mbrojtjes së Turqisë, duke e rritur numrin e përgjithshëm të anijeve që do të largohen nga portet e Detit të Zi të Ukrainës sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OKB për eksportin e grurit në 27, shkruan Reuters, transmeton Gazeta10.
Zumrut Ana dhe MV Ocean S, të cilat janë të autorizuara të nisen më 20 gusht, u ngarkuan me 6,300 ton vaj luledielli dhe 25,000 ton grurë respektivisht, bëhet e ditur përmes një deklarate nga qendra e përbashkët e koordinimit e krijuar për të mundësuar kalimin e sigurt.
Autoriteti i Porteve Detare të Ukrainës tha të shtunën se tre porte detare ukrainase kishin filluar ngarkimin e ushqimit në shtatë anije, të cilat do të dërgonin 66,500 ton grurë, misër dhe vaj luledielli për konsumatorët.
Eksportet e drithërave të Ukrainës kanë rënë që nga fillimi i luftës, sepse portet e saj në Detin e Zi – një rrugë jetike për dërgesat – u mbyllën, duke rritur çmimet globale të ushqimit dhe duke shkaktuar frikë nga mungesa në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.
Në fund të korrikut, tre porte të Detit të Zi u zhbllokuan sipas një marrëveshjeje midis Moskës dhe Kievit, të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia. / Gazeta10.