
Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka deklaruar se komuna ishte informuar fillimisht se granti i performancës do të arrinte në rreth 1.2 milionë euro, por më vonë, sipas tij, shuma u reduktua në afërsisht 750 mijë euro.
Duke folur në një lidhje direkte në emisionin “Gazeta” në Kanal10, Elezaj tha se, pas komunikimeve zyrtare me shkrim, komuna u njoftua për shumën e zvogëluar.
Ai shtoi se Komuna e Klinës ka shprehur pakënaqësinë për këtë vendim përmes ankesave gojore, por nuk ka paraqitur ankesë me shkrim.
“Normal që jemi ankuar aq sa kemi mundur me ankesa gojore, por jo me shkrim, sepse sigurisht që kjo do të ndikonte në zvogëlimin e performancës sonë”, u shpreh Elezaj.