Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“Më kanë sulmu personalisht”, Ibrahimi për MAPL-në

Gazeta10
01 July 2026 - 19:06

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se është sulmuar personalisht pasi Asociacioni kërkoi më shumë transparencë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) lidhur me ndarjen e grantit të performancës për komunat.

Në emisionin Gazeta, Ibrahimi tha se reagimet e tij kanë qenë në funksion të përfaqësimit të qëndrimeve të Bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës.

“Pasi kemi kërkuar rritjen e transparencës nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ata më kanë sulmuar mua personalisht. Kjo çështje është trajtuar në Bordin e Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe ne, si ekzekutiv, jemi të obliguar t’i trajtojmë çështjet që ngrihen nga Bordi,” u shpreh ai.

Ibrahimi bëri të ditur se ka zhvilluar takime dhe komunikime me kryetarë komunash, të cilët, sipas tij, mbështesin ndërmarrjen e hapave ligjorë për këtë rast.

“Sot kam qenë në kontakt me kryetarët e komunave dhe ata mendojnë se këtë çështje duhet ta adresojmë edhe në gjykatat kompetente, pasi konsiderojnë se ka pasur shkelje ligjore në zbatimin e këtij procesi,” tha ai.

Sipas Ibrahimit, disa nga kryetarët e komunave kanë shprehur gatishmëri që në të ardhmen e afërt të shqyrtojnë mundësinë e ndjekjes së procedurave gjyqësore.

Ai vlerësoi se mënyra se si është vepruar në ndarjen e grantit të performancës krijon një precedent të rrezikshëm për autonominë financiare të komunave.

“Është precedent që dikush të marrë guximin të rishikojë vendimet pa transparencë të plotë. Kjo cenon parimet e autonomisë financiare të komunave,” deklaroi Ibrahimi.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.