
Kandidati për kryetar të Podujevës nga radhët e PDK-së, Isak Shabani, ka prezantuar programin e tij zgjedhor, i cili është përgatitur nga ekspertë të fushave të ndryshme dhe synon të përfshijë qytetarët në vendimmarrje.
Shabani në debatin në “Politiko” tha se lista për asamble komunale përmban patriotë dhe profesionistë të fushave të ndryshme, ndërsa programi është hartuar pas analizimit të buxhetit të komunës, i cili për katër vitet e ardhshme është rreth 130 milionë euro, përfshirë investimet kapitale.
“Gjatë skanimit kam vizituar qytetin, fshatrat dhe lagjet. Të gjitha kërkesat, sugjerimet dhe rekomandimet i kam akumuluar në një vend me të vetmin qëllim që prioritetet do të jenë ato që do t’i përcaktojnë vetë qytetarët, d.m.th. ata do të jenë vendimmarrës,” tha Shabani.
Ai theksoi se ky program synon të përmirësojë transparencën dhe pjesëmarrjen qytetare në vendimmarrjen komunale, duke i dhënë qytetarëve një rol të drejtpërdrejtë në përcaktimin e projekteve dhe prioritetve. /Gazeta10