
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka takuar ambasadoren e re të Kosovës në Portugali, Edona Maloku Bërdyn.
Kjo u bë e ditur nga vetë Gërvalla, e cila përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se me përvojën dhe vizionin e qartë të ambasadores së re, marrëdhëniet e Kosovës me Portugalinë do të arrijnë nivele të reja të zhvillimit dhe bashkëpunimit.
“Dr. Edona Maloku Bërdyna është një figurë e shquar në shkencat sociale, me një karrierë që bashkon hulumtimin akademik, praktikën e aplikuar dhe zhvillimin e politikave në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Me këtë përvojë të pasur dhe vizion të qartë, jemi të bindur se nën drejtimin e saj, marrëdhëniet e Kosovës me Portugalinë do të arrijnë nivele të reja të zhvillimit dhe bashkëpunimit. Në arsim, kulturë, ekonomi dhe fusha të tjera kyçe, Dr. Maloku Bërdyna do të sjellë një perspektivë të freskët dhe energji të reja për të fuqizuar këto lidhje”, thuhet në postimin e Gërvallës.
Madje, ministrja ka njoftuar se Maloku Bërdyna, është njohur dhe vlerësuar në shkallë globale, duke përfshirë çmimin Otto Klineberg dhe disa njohje ndërkombëtare për ndikimin e saj në ndryshimin social dhe drejtësinë shoqërore.