Kontaktoni

info@gazeta10.com

Politiko

Gëzim Hazrolli: Policët dhe ushtarët duhet të kenë trajtim më të mirë, sigurimi shëndetësor është domosdoshmëri

Gazeta10
21 May 2026 - 22:10

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Gëzim Hazrolli në Politiko tha se mirëqenia e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës duhet të jetë një nga prioritetet kryesore institucionale.

Hazrolli tha se, megjithëse janë arritur rezultate në zhvillimin e policisë, ende ekzistojnë mangësi të shumta që lidhen me trajtimin, pajisjet dhe sigurinë e zyrtarëve policorë.

“LDK është e përkushtuar që të ngrejë mirëqenien e policëve. Jemi shumë krenarë me atë që kemi arritur deri tani, por padyshim duhet t’i shohim edhe mangësitë që janë në institucionin e Policisë së Kosovës”, tha Hazrolli në Politiko.

Sipas Hazrollit, protesta e policëve ishte sinjal i qartë për pakënaqësitë që ekzistojnë brenda institucionit.

“Për herë të parë na ka ndodhur që policët tanë të dalin të protestojnë. Nuk kanë dalë prej qejfit ata. Të gjithë kemi miq shumë të mirë brenda Policisë së Kosovës dhe kemi dëshirë t’i shohim sa më mirë, por duhet të përkushtohemi dhe të punojmë për mirëqenien e tyre”, u shpreh ai.

Ai theksoi se policët nuk trajtohen në përputhje me nivelin e rrezikshmërisë që përballojnë në terren dhe shtoi se mungojnë pajisjet adekuate për realizimin e detyrave operative.

“Nuk janë të trajtuar me rrezikshmërinë që e kanë dhe nuk janë të pajisur për realizimin e operacioneve dhe detyrave që i kanë në terren”, tha Hazrolli.

Kandidati i LDK-së veçoi edhe nevojën për sigurim shëndetësor për policët dhe ushtarët, duke e cilësuar atë si një nga kërkesat më të rëndësishme për mirëqenien dhe mbrojtjen e tyre.

“Sigurimi shëndetësor për ushtarakët dhe policët është një ndër kërkesat kryesore që duhet ta kemi në mendje, për shkak të rrezikshmërisë me të cilën ballafaqohen”, deklaroi Hazrolli.

Deklarata e plotë: https://youtu.be/YL1WlQh0iNc

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.