
Pas takimit të sotëm mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku u diskutua për emra konkretë për presidentin e ri, komentatori politik Basri Muja, duke folur në emisionin “Adresa” në Kanal10, ka thënë se paralajmërimi për publikimin e emrave është një qasje e duhur, nëse partitë kanë vullnet politik për të arritur marrëveshje.
“Emrat ata thanë që shpejt do t’i publikojmë. Mendoj që kjo është një qasje e duhur, sepse nëse dy partitë kanë vullnet politik dhe, në bazë të kritereve të përcaktuara, kanë arritur me i përzgjedh disa emra, të cilët i sjellin në tavolinë dhe të cilët pastaj do të seleksionohen, varësisht nga anshmëria e tyre partiake, atëherë gjasat janë të mëdha që këto dy parti të shkojnë e të dalin me një kandidat apo dy kandidatë të përbashkët”, tha Muja.
Sipas tij, një kandidat i përbashkët do të mund të votoheshte në Kuvend, por procesi mbetet i vështirë për shkak të numrit të deputetëve dhe problemeve të brendshme në LDK.
“Megjithëse prapëseprapë, për shkak të numrit të ngushtë të deputetëve, po edhe për shkak të problemeve të brendshme të LDK-së, unë mendoj që do të jetë e vështirë që për një kandidat, i cili do të përzgjidhej e do të nominohej nga udhëheqësit e këtyre dy partive, t’i merrte të gjitha votat”, u shpreh ai.
Muja tha se pikërisht për këtë arsye ekziston mundësia që vendi, megjithatë, të shkojë në zgjedhje të reja.
“Për shkak të kësaj druaj që ne, megjithatë, prapë do të shkojmë në zgjedhje”, deklaroi komentatori politik.
Në fund, ai theksoi se në rast të dështimit të këtij procesi, dy partitë mund të tentojnë që përgjegjësinë politike ta bartin te Partia Demokratike e Kosovës.
“Është e rëndësishme që pastaj këto dy parti, në njëfarë mënyre, topin e fajësisë do ta hedhin te PDK-ja, e cila në njëfarë mënyre ka qëndru e painteresume fare”, tha Basri Muja./Gazeta10